Tre të arrestuarit për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja lihen në burg, familjes së gjyqtarit i kërkojnë falje
Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, Gjon Shkambin dhe Banush Koxhajn, të arrestuar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, e ndodhur tre ditë më parë në krye të detyrës.
Seanca gjyqësore u zhvillua sot nën drejtimin e gjyqtares Marinela Osmani. Gjatë seancës, Elvis dhe Gjon Shkambi kërkuan falje publike familjes së gjyqtarit Kalaja, duke deklaruar se ngjarja ndodhi si pasojë e tronditjes së fortë psikike pas një “kalvari të gjatë gjyqësor” lidhur me çështjen e pronësisë që, sipas tyre, nuk ishte zgjidhur drejt nga gjykatat.
Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, dëshmoi para trupit gjykues se ditën e ngjarjes ka qenë i sëmurë dhe kishte njoftuar kancelaren për gjendjen e tij.
“Kam qenë i sëmurë para se të kalonin palët në skaner. E kam lajmëruar kancelaren se nuk ndihesha mirë, pasi vuaj nga diabeti. Një orë më pas më dhanë leje të largohem, por nuk u zëvendësova”, dëshmoi Koxhaj.
Ngjarja tronditi opinionin publik, pasi gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjatë një seance për një çështje pronësie, ku autori Elvis Shkambi kishte shoqëruar xhaxhanë e tij, Gjon Shkambin.


