Mickoski: Pas zgjedhjeve lokale mund të shqyrtohet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar se pas zgjedhjeve lokale të 19 tetorit mund të shqyrtohet mundësia për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por theksoi se një vendim i tillë nuk do të bazohet në interesat politike, por në interesin e shtetit.

“Pres që pas këtyre zgjedhjeve lokale të hyjmë në një cikël të investimeve të intensifikuara. Të gjithë ata që e ndjekin politikën, thonë se VMRO-DPMNE dhe koalicioni do të kenë një fitore edhe më të madhe se ajo e vitit 2021. Është logjike që më pas të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare për të siguruar një mandat të ri katërvjeçar”, deklaroi Mickoski gjatë Forumit të Biznesit në Strumicë, ku morën pjesë biznesmenë nga rajoni dhe ministra të kabinetit qeveritar.

Megjithatë, ai theksoi se çdo vendim do të merret duke pasur në fokus stabilitetin ekonomik dhe interesat e sektorit privat.

“Nëse këtë e shohim si vendim politik, mund të jem dakord. Por nga një këndvështrim shtetëror, duhet të mendojmë ndryshe. Ne duam ta vendosim shtetin dhe biznesin në plan të parë, për të krijuar një të ardhme të parashikueshme. Vetëm pas kësaj, mund të mendojmë për interesin politik”, shtoi kryeministri Mickoski.

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 19 tetor 2025.