Detaje të reja për vrasjen e 26-vjeçarit në Duqanxhik
Detaje të reja janë bërë të ditura nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me ngjarjen e rëndë të mbrëmshme në lagjen Duqanxhik të Shkupit, ku humbi jetën një 26-vjeçar.
Sipas MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 6 shtator, rreth orës 23:30, pranë kryqëzimit të rrugëve “Prohor Pçinski” dhe “Vojdan Çernodrinski”.
Në atë moment, para një firme ndodheshin pesë persona nga Shkupi: D.G. (29), A.Xh. (24), K.B. (36), E.B. (25) dhe A.M. (26).
Sipas informacionit zyrtar, pranë grupit është ndalur një motoçikletë me dy persona, nga e cila është hapur zjarr në drejtim të tyre. Pas të shtënave, dy personat janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Një plumb ka goditur A.M., 26 vjeç, i cili është transportuar me ambulancë në Kompleksin Klinik “Nënë Tereza”. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka ndërruar jetë në spital.
Deri më tani, MPB-ja nuk ka dhënë informacion nëse autorët janë identifikuar apo cili mund të ketë qenë motivi i sulmit.
Policia po ndërmerr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit.

