Shtohet presioni ndaj Abdixhikut, edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë pritet të kërkojë dorëheqjen

Pas kërkesave të degëve të LDK-së në Pejë dhe Lipjan për dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, një kërkesë e ngjashme pritet të formalizohet edhe nga Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë.

Sipas burimeve të Gazetës Journal, anëtarët e kësaj dege kanë votuar unanimisht në mbështetje të një qëndrimi që kërkon marrjen e përgjegjësisë politike nga Abdixhiku pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Burimet bëjnë të ditur se kërkesa pritet të formalizohet në ditët në vijim, duke shtuar presionin e brendshëm ndaj lidershipit të partisë.

Debatet dhe kërkesat për përgjegjësi politike brenda Lidhja Demokratike e Kosovës kanë ardhur pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, në të cilat LDK u rendit forca e tretë politike, duke siguruar 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Zhvillimet e fundit sinjalizojnë pakënaqësi në rritje brenda strukturave të partisë dhe mund të ndikojnë në proceset e ardhshme të reformimit dhe riorganizimit të saj.