Të shtëna me armë zjarri në Saraj, plumbat godasin automjetin – nuk ka të lënduar

Një incident me armë zjarri ka ndodhur herët këtë mëngjes në Saraj të Shkupit, ku është qëlluar disa herë drejt një automjeti të parkuar në të cilin ndodheshin dy persona.

Sipas denoncimit në polici, rreth orës 04:00, R.Z. (25) nga fshati Gllumovë ka raportuar se, ndërsa ndodhej së bashku me një shok në një automjet të parkuar në Saraj, pranë tyre janë afruar dy persona me motoçikletë.

Njëri prej tyre ka nxjerrë armë zjarri dhe ka qëlluar disa herë drejt automjetit, duke shkaktuar dëmtime materiale.

Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Policia po ndërmerr masa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit, si dhe për identifikimin dhe gjetjen e personave të përfshirë në incident.