Katër herë Tetova dhe tri herë Qeveria nuk i ishin përgjigjur Gjykatës! Ky është arsyetimi zyrtar për shfuqizimin e emrave shqip

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, të miratuar më 24 prill 2007.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë procedurës Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës të dorëzonte dokumentacionin e plotë që i kishte paraprirë miratimit të vendimit. Megjithatë, komuna nuk dorëzoi dëshmi për kërkesën e dërguar në Qeveri dhe as pëlqimin e nevojshëm qeveritar, por vetëm listën e emrave të miratuar në vitin 2006.

Po ashtu, Gjykata në tri raste kërkoi nga Qeveria të paraqiste pëlqimin përkatës, por një dokument i tillë nuk u dorëzua.

Pas shqyrtimit të materialeve të disponueshme, Gjykata konstatoi se Komuna e Tetovës nuk kishte siguruar pëlqimin paraprak të Qeverisë, siç kërkohet me nenin 5, paragrafi 2 i Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.

Për rrjedhojë, Gjykata vlerësoi se vendimi ishte miratuar në kundërshtim me ligjin dhe me parimin kushtetues të sundimit të së drejtës, duke vendosur shfuqizimin e tij.