Rubin godet Prokurorinë e Speciales: Thaçi po akuzohet politikisht

Ish-diplomati amerikan, James Rubin, i cili për dy ditë dëshmoi në Hagë, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Gjykatës Speciale për mënyrën si po trajtohet rasti ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Rubin tha se paraburgimi pesëvjeçar i Thaçit është i pajustifikueshëm dhe se akuzat kanë karakter politik.
“Më shqetëson fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se 5 vjet, ndonëse janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me gjykatën. Nuk e shoh si shtet të së drejtës. Kjo nuk është drejtësi, por fajësim politik vetëm pse Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së,” deklaroi Rubin.
Ai kujtoi se pikërisht Thaçi ka qenë ai që e ka mbështetur krijimin e kësaj gjykate dhe prapë është paraqitur vullnetarisht.
“Është e pazakontë të trajtohet kështu një burrë shteti që dorëzohet vetë në një gjykatë që e ka themeluar si kryeministër,” shtoi ai.
Rubin theksoi se nga përvoja e tij personale me udhëheqësit e UÇK-së, nuk ka parë prova që justifikojnë akuzat e rënda të ngritura nga prokuroria.

