Përparim Rama siguron transport falas për veteranët e UÇK-së që protestojnë në Tiranë

Prishtinë, 16 tetor 2025 – Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për të siguruar transport falas për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare të 17 tetorit në Tiranë, e cila mbahet në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Sot kam nënshkruar vendimin për të siguruar transportin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare më 17 tetor në Tiranë,” shkroi Rama në njoftimin e tij publik.

Ky veprim i kryebashkiakut të LDK-së, i cili ndodhet në balotazh për një mandat të dytë, ka ndezur debat politik në distancë, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale.

Protesta e nesërme pritet të mbledhë qindra qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

Vendimi i Ramës vjen në një klimë të tensionuar marrëdhëniesh mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisë shqiptare, pas përplasjeve publike mes kryeministrit Albin Kurti dhe Edi Ramës, të shoqëruara me akuza të ndërsjella politike.