Ali Ahmeti në Tiranë për protestën “Unë jam UÇK” – takim me drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste

Tiranë, 17 tetor 2025 – Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në protestën gjithëkombëtare “Unë jam UÇK – Liria ka emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar, Ahmeti ka zhvilluar takim miqësor me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi.

“Gjatë qëndrimit tim në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes në protestën gjithëkombëtare ‘Liria ka emër – Drejtësi për Çlirimtarët’, zhvillova takim vëllazëror me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, z. Blendi Klosi,” – ka shkruar Ahmeti në një postim në rrjetet sociale.

Sipas tij, në takim u diskutuan zhvillimet aktuale politike në rajon, proceset euroatlantike dhe bashkërendimi i veprimeve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Theksova se Shqipëria tashmë gjendet në një fazë të avancuar të negociatave me BE-në dhe se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah saj, me përkushtim të plotë dhe respektim të standardeve demokratike e evropiane. Rruga drejt Brukselit është rrugë e përbashkët, një projekt strategjik që bashkon të gjithë në rajon dhe që garanton paqen, zhvillimin dhe perspektivën tonë evropiane,” – ka përfunduar Ahmeti.

Pjesëmarrja e tij në protestë shihet si shenjë solidariteti mbarëkombëtar, në një ngjarje që pritet të mbledhë mijëra qytetarë nga trojet shqiptare dhe diaspora.