Fushata zgjedhore përfundon më 17 tetor, pason heshtja zgjedhore
Shkup, 14 tetor 2025 – Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) ka njoftuar radiodifuzerët se fushata zgjedhore për raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale përfundon më 17 tetor, në orën 24:00.
Nga 18 tetori deri në orën 19:00 të 19 tetorit, do të vlejnë rregullat për heshtje zgjedhore, gjatë së cilës ndalohet çdo formë propagande politike.
Sipas ASHMAA-së, gjatë periudhës së heshtjes, mediat mund të raportojnë vetëm për procesin zgjedhor, por nuk lejohet asnjë formë përfaqësimi apo promovimi i pjesëmarrësve në garë.
Në përputhje me Kodin Zgjedhor, shkelje e heshtjes zgjedhore konsiderohet:
transmetimi i çdo informacioni, fotografie, materiali audio apo video që lidhet me pjesëmarrësit në zgjedhje; raportime që hapur apo fshehurazi mund të ndikojnë në vendimin e votuesve; publikimi i të dhënave që zbulojnë identitetin e subjekteve politike ose të personave të përfshirë në incidente gjatë ditës së votimit; dhe deklarata nga kandidatët apo përfaqësuesit e partive politike.
ASHMAA u ka bërë thirrje të gjitha mediave që të respektojnë rregullat ligjore, për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë dhe të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit.


