Operacioni “Qielli i Thyer”: Arrestohen 7 persona për krim të organizuar në Kosovë

Prishtinë, 24 shtator – Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor në rajonet e Prishtinës dhe Pejës, i koduar me emrin “Qielli i Thyer”. Si rezultat, janë arrestuar 7 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar.

Operacioni, i zhvilluar në 25 lokacione të ndryshme, është bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në:

pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, trafikim narkotikësh, pastrim parash.

Hetimet zbulojnë se të dyshuarit kanë përdorur aplikacionin e enkriptuar “SkyECC” për të koordinuar aktivitetet e tyre.

👉 Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar:

638 gramë substancë të dyshuar si kokainë, një peshore për matjen e narkotikëve, 11,065 euro para të gatshme, 34 automjete, 7 armë zjarri, dokumente personale me identitet të rremë, pajisje elektronike dhe dokumentacion pronësor e financiar.

Ky operacion është realizuar edhe falë bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe Europol-in, duke siguruar shkëmbim të dhënash dhe koordinim ndërkufitar.

🔎 Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës theksuan se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për luftimin e krimit të organizuar, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.