Dëshmitari John Duncan në Hagë: Nuk ka pasur prova për dhunë të organizuar nga UÇK

Ish-këshilltari i Wesley Clark, John Duncan, ka vazhduar dëshminë e tij në Hagë, ku u pyet nga prokuroria lidhur me pretendimet për dhunë të kryer nga pjesëtarë të UÇK-së.
Duncan theksoi se dhuna nuk ka qenë e organizuar.
“Ne nuk kemi pasur dëshmi se ka qenë dhunë e organizuar,” deklaroi ai.
Avokatja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Nina Tavakoli, lexoi pjesë nga një deklaratë të gjeneralit Jackson, i cili kishte pohuar se nuk kishte prova që UÇK-ja të kishte kryer akte dhune ndaj serbëve.
Jackson kishte shtuar se, ndonëse nuk përjashtohej mundësia që ndonjë individ të ketë kryer akte të tilla, nuk kishte asnjë provë që këto të ishin praktika institucionale të UÇK-së.
Dëshmitari Duncan u shpreh në përputhje me këtë vlerësim të gjeneralit Jackson, duke theksuar edhe njëherë se nuk ekzistonin dëshmi për dhunë të organizuar nga strukturat e UÇK-së.

