Fatmir Limaj: Dëshmia e James Rubin është thirrje për dallim mes interesit kombëtar dhe politikave partiake

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar dëshminë e ish-ndihmëssekretarit amerikan James Rubin në Gjykatën Speciale, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë që në Kosovë duhet bërë dallimi mes interesit kombëtar dhe politikave të brendshme partiake.
I ftuar në emisionin Mesditë në Tëvë1, Limaj tha se për dy dekada është tentuar në mënyrë të dhunshme të ndryshohen elitat politike në Kosovë përmes gënjeshtrash dhe manipulimeve kundër ish-krerëve të UÇK-së.
“Kjo çka ka ndodhë me dëshminë e z. Rubin, besoj unë, është një thirrje për njerëzit në Kosovë dhe përtej: ndani gjërat, mos prekni gjëra të shenjta të juaja, që nënkupton liria dhe pavarësia e Kosovës. Duhet të bëhet një vijë ndarëse, mes interesit nacional dhe politikave të mashallave të cilat nuk qojnë askund”, u shpreh Limaj.
Ai theksoi se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ndërtuar si një “luftë speciale” e koordinuar, që sipas tij, popullit të Kosovës iu paraqit si e vërtetë, por në fakt ishte “një mashtrim i madh”.
Limaj gjithashtu kritikoi institucionet vendore, duke thënë se Kosova ka qenë e papranishme për pesë vite në procesin gjyqësor. Sipas tij, Parlamenti i Kosovës ka pasur mundësi të krijojë mekanizma mbrojtës për të monitoruar gjykimin dhe për të mbrojtur interesat e vendit.
“Parlamenti i ka pas të gjithë mekanizmat duke ruajtur veten dhe Kosovën mos me ndyrë në drejtësi, por në anën tjetër duke kërkuar mbikëqyrjen e plotë të zbatimit të ligjeve dhe të drejtave të atyre që janë në sallë dhe të drejtave të Kosovës,” tha Limaj.
Deklaratat e tij vijnë pas dëshmisë së James Rubin, e cila ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë dhe është parë nga shumë aktorë politikë si një pikë kthese në perceptimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

