Përvjetori i rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit – rrëfimi i Ramiz Lladrovcit për betejën e fundit

Në përvjetorin e rënies së heronjve të kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, kandidati për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ndarë kujtime dhe rrëfime prekëse për sakrificën e tyre sublime në luftën e Kosovës.

Në një intervistë për emisionin Debat Plus, ai rikujtoi momentet kur më 22 shtator 1998, ndërsa ndodhej në Tiranë me detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, mori lajmin e rënies së tyre nga Azem Syla dhe Kadri Veseli.

“Fillimisht më njoftuan se kishte rënë heroikisht Feha. Por unë e dija që edhe Xheva do të ishte aty, sepse jeta e tyre ka qenë e pandarë – njëri pa tjetrin nuk mund të ekzistonin,” tha Lladrovci.

Ai tregoi se kishte pasur një komunikim të fundit me vëllanë përmes telefonit satelitor një natë para ofensivës.

“Fehmiu më tha: ‘Vëlla, nesër është ofensiva. Dije që forcat serbe vetëm mbi trupin tim mund të kalojnë. Pa u vrarë unë nuk kalojnë’. Dhe kështu ndodhi. Të nesërmen, mbi 10 mijë forca serbe sulmuan tri pikat e UÇK-së në zonën tonë,” ka rrëfyer ai.

Në këtë betejë të ashpër, humbën jetën edhe luftëtarë të tjerë. Lladrovci kujtoi veçanërisht Fatime Hetemin, një vajzë e re nga Mitrovica e Veriut, e cila ishte bashkuar me UÇK-në dhe ishte strehuar nga Fehmiu dhe Xheva si vajza e tyre.

“Fatimja ishte personi i parë që u vra atë ditë. Ajo kishte ardhur e vendosur të luftonte për lirinë e vendit dhe gjeti vdekjen krah për krah me ta,” tha ai.

Sipas Lladrovcit, 22 shtatori mbetet një nga ditët më të lavdishme të historisë së qëndresës shqiptare, duke simbolizuar sakrificën dhe vendosmërinë e dy bashkëshortëve që hynë në histori si simbol i dashurisë dhe lirisë.