Vetëvendosje zyrtarizon koalicionet parazgjedhore
Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor me tri parti tjera – Partinë Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane – për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në përditësimin e orës 20:30, vetëm pak orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e kërkesave për certifikim apo deklarimin e koalicioneve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se ky grupim politik do të garojë nën emrin “Koalicioni Lëvizja VETËVENDOSJE!”.
Ky është koalicioni i tretë i zyrtarizuar deri tani. Më herët u konfirmuan edhe dy të tjerë:
Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim; Koalicioni “Koalicija VAKAT”, që përfshin Demokratska Stranka Bošnjaka, Bošnjačka Stranka Kosova dhe Demokratska Stranka Vatan.
Koha e dorëzimit të dokumentacionit po i afrohet fundit, ndërsa subjektet politike po finalizojnë format e tyre të garimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

