Rama: Kosova duhet të përmbushë kërkesat e BE-së, jo të merret me Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Kosova duhet të fokusohet tek kërkesat e Bashkimit Evropian dhe jo tek qëndrimet e Serbisë, duke paralajmëruar se përndryshe rrezikon të izolohet gjithnjë e më shumë.
Duke folur në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” në Vjenë, ku morën pjesë sipërmarrës nga mbi 25 vende të botës, Rama tha se është i zhgënjyer nga mungesa e përparimit në dialogun Kosovë–Serbi, por theksoi se Prishtina duhet të bëjë “detyrat e shtëpisë” që kërkon BE-ja.
“Kosova nuk duhet të mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet t’ia dijë çfarë bën Serbia, por duhet të bëjë pjesën e vet. Duhet t’i japë Bashkimit Evropian fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe të kërkojë të ecë përpara. Kjo nuk ka të bëjë me pranimin e asaj që kërkon Serbia, por me atë që kërkon BE-ja”, u shpreh Rama.
Sipas tij, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ka dështuar për shkak të formatit të gabuar, por kjo nuk e përjashton Kosovën nga obligimet që ka për të përmbushur standardet dhe vlerat evropiane.
Rama shtoi se vetëm duke u përqendruar në këtë drejtim, Kosova mund të avancojë në procesin e integrimit evropian dhe të shmangë izolimin.

