Erdogan me probleme teknike gjatë fjalimit në OKB – Turqia sqaron situatën

Mediat turke raportuan se Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, hasi në probleme me mikrofonin gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Momenti ndodhi teksa ai po fliste për Palestinën dhe dhunën e pandërprerë në Gaza nga Izraeli, duke ngritur dyshime dhe reagime të ashpra nga mediat turke, të cilat e cilësuan si “sabotim të qëllimshëm”.

Megjithatë, Drejtoria e Komunikimit e Turqisë doli me një deklaratë sqaruese, duke mohuar pretendimet për ndërprerje të qëllimshme.

“Fjalimeve të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive u jepen 5 minuta, ndërsa folësve të tjerë u jepen 3 minuta. Presidenti Erdogan e përfundoi fjalimin e tij brenda këtij limiti kohor dhe mikrofoni u fik automatikisht në fund të minutës së pestë, sipas procedurave teknike”, thuhet në njoftim.

Drejtoria theksoi gjithashtu se gjatë fjalimit kishte pasur ndërprerje për shkak të duartrokitjeve, por jo ndërprerje të fjalës së presidentit. Si shembull u soll rasti i Presidentit të Indonezisë, të cilit iu fik mikrofoni në të njëjtën mënyrë, sipas rregullave të OKB-së.

Ndërkohë, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme, po mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Nivelit të Lartë për Zgjidhjen Paqësore të Çështjes së Palestinës, e bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, që synon të intensifikojë përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete dhe krijimin e një rruge të qëndrueshme drejt paqes.