Mediat botërore: Dështimi i Kurtit për formimin e qeverisë e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme

Dështimi i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të siguruar shumicën parlamentare për formimin e qeverisë së re ka tërhequr vëmendjen e mediave kryesore ndërkombëtare, të cilat e cilësojnë situatën si një tjetër krizë politike që mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Agjencia Reuters raportoi se Parlamenti i Kosovës nuk arriti të zgjedhë kryeministrin, ndërsa po afrohet afati për zgjedhje të reja. “Partitë e opozitës kanë refuzuar të qeverisin me Kurtin, duke kritikuar mënyrën se si ai ka trajtuar marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe veprimet në veriun e ndarë etnikisht të Kosovës,” shkruan Reuters, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme mund të thyejnë bllokimin politik në vend.

Edhe Bloomberg raportoi për tensionet politike në Prishtinë, duke theksuar se Kurti nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për të formuar kabinetin e ri. Mediumi amerikan thekson se deputetët u mblodhën në orët e fundit të afatit kushtetues, por dështuan të miratojnë përbërjen ministrore të propozuar nga Kurti. Sipas Bloomberg, Kurti paralajmëroi se mungesa e një qeverie funksionale mund të shkaktojë bllokim buxhetor dhe vonesa në pagat publike, pensionet dhe ndihmat sociale.

Ndërkohë, TRT World nga Turqia raportoi se Lëvizja Vetëvendosje arriti të sigurojë vetëm 56 vota — pesë më pak se shumica e nevojshme për formimin e qeverisë. Mediumi turk thekson se kjo situatë ka thelluar pasigurinë politike në “shtetin më të ri të Evropës”, ndërsa tani presidentja e Kosovës duhet të emërojë një kandidat tjetër për një votim të dytë. Nëse as ky raund nuk sjell shumicën e nevojshme, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.