Lumir Abdixhiku: “Kjo është konferenca e fitores së madhe të LDK-së”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në një konferencë të përbashkët me kandidatin për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur rezultatet e para të zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar këtë si “konferencën e fitores së madhe të LDK-së”.

“Falënderoj dhe uroj qytetarët për një proces demokratik të drejtë. Dua të falënderoj vëzhguesit dhe komisionerët që kujdestarojnë votën e qytetarëve të Kosovës. Kemi fituar, prinë dhe jemi në garë në gjithsej 12 komuna. Pra, 12 tetori është i 12 komunave të LDK-së,” tha Abdixhiku.

Ai njoftoi se LDK ka shpallur fitore në raundin e parë në komunat: Istog, Lipjan dhe Junik, duke uruar kryetarët e rinj për rezultatet e arritura.

“Afër këtij urimi jemi edhe për Gazmend Muhaxherin në Pejë, i cili është shumë pranë përfundimit të garës në raund të parë. Presim që me votat e mërgatës të kalojë mbi 51%,” shtoi Abdixhiku.

Në vijim, ai theksoi se fituesi kryesor i këtyre zgjedhjeve është Përparim Rama, duke theksuar se pas 12 vitesh, LDK rikthehet si parti e parë në Prishtinë, si për kandidatin ashtu edhe për kuvendin komunal.

“Është shenjë e forcimit të LDK-së,” theksoi kryetari i LDK-së.

Sipas Abdixhikut, LDK prin edhe në Viti, Obiliq dhe Dragash, ndërsa në balotazh ka hyrë në komunat Fushë Kosovë, Suharekë, Gjilan dhe Rahovec.

🗳️ “Kjo është konferenca e fitores së madhe të LDK-së,” përmbylli Abdixhiku. /Telegrafi/