Kostoja e jetesës ka shënuar rritje, qytetarët ankohen për çmimet
Kostoja e jetesës në Kosovë ka shënuar rritje, nga produktet bazë ushqimore deri te shërbimet e tjera, duke nxitur ankesa nga qytetarët dhe kërkesa për masa kundër abuzimeve me çmimet.
Për të frenuar rritjen e pakontrolluar, ekzekutivi po synon rikthimin e Ligjit për Çmimet Tavan. Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar inicimin e procedurës për këtë projektligj, me qëllim garantimin e stabilitetit në treg.
Megjithatë, ekspertë të ekonomisë bëjnë thirrje për kujdes, duke theksuar se tregu i lirë funksionon mbi bazën e ofertës dhe kërkesës. Ekonomisti Lulzim Beqiri sugjeron masa paraprake si ulja e TVSH-së për produktet bujqësore dhe mbështetje më e madhe për prodhuesit vendorë, në mënyrë që ndërhyrja ligjore të jetë e arsyeshme dhe në përputhje me Kushtetutën.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëron se vendosja e marzhave fikse mund të pengojë importin dhe të sjellë produkte me cilësi më të ulët. Ai theksoi se po presin propozimin konkret të ministrisë për të vlerësuar ndikimin në uljen e inflacionit.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar Ligjin për Çmimet Tavan në vitin 2022, por ai u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023.

