Kolaps global digjital: Platforma të mëdha si Snapchat, Fortnite dhe Canva jashtë funksionit

Një pjesë e madhe e internetit modern është përballur me probleme serioze sot, pasi shumë nga aplikacionet dhe faqet më të përdorura në botë — përfshirë Snapchat, Roblox, Fortnite, Duolingo dhe Canva — kanë ndaluar së funksionuari papritur, raporton The Independent.

Sipas faqes së ndjekjes Down Detector, përdoruesit nga vende të ndryshme raportojnë vështirësi në qasje, ngarkim të ngadaltë dhe gabime në funksionim.

Shkaku i prishjeve lidhet me një defekt në Amazon Web Services (AWS) – platforma e infrastrukturës cloud që mbështet pjesën më të madhe të internetit. AWS konfirmoi se po përballet me “rritje të shkallës së gabimeve” dhe vonesa në disa prej shërbimeve të saj, duke prekur kështu aplikacione, serverë dhe uebfaqe në mbarë botën.

Ekipet teknike të Amazon janë duke punuar për rikthimin gradual të sistemeve në funksionim normal, por nuk është dhënë ende një afat se kur problemet do të zgjidhen plotësisht.