Zero projekte kapitale në komunat shqiptare, Daim Luçi kërkoi përgjegjësi nga Qyteti i Shkupit

Ja postimi i plotë:

Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në Qytetin e Shkupit, Daim Luçi, kërkoi përgjegjësi për neglizhencën ndaj komunave shqiptare

Në seancën e fundit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Daim Luçi, ngriti shqetësimin për mungesën e investimeve dhe projekteve konkrete në komunat me shumicë shqiptare, duke kërkuar përgjigje të drejtpërdrejta nga udhëheqësia e Qytetit të Shkupit.

Luçi theksoi se po kalon gjysma e vitit, ndërsa qytetarët e komunave shqiptare ende nuk kanë parë asnjë projekt serioz dhe të prekshëm që do të ndikonte në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

Sipas tij, ndërkohë që në komunat me shumicë maqedonase promovohen projekte të mëdha infrastrukturore dhe investime të konsiderueshme publike, në komunat shqiptare vazhdon të dominojë zvarritja e projekteve, mungesa e dinamikës së punimeve dhe neglizhenca institucionale.

Në fjalimin e tij, Luçi përmendi si shembuj konkretë zvarritjen e punimeve në bulevardin “Cvetan Dimov”, realizimin e mangët të bulevardit “Ferid Murad”, dëmtimin e hapësirave të gjelbra dhe prerjen e drunjve në bulevardin “Makedonsko-Kosovska Brigada”, si dhe mungesën e progresit në realizimin e rrethrrotullimit në Saraj.

Ai rikujtoi se me ardhjen e përbërjes aktuale politike në pushtet u premtua fundi i praktikave të vjetra dhe vendosja e një qasjeje të re, të bazuar në zhvillim të barabartë dhe trajtim të drejtë të të gjitha pjesëve të qytetit. Megjithatë, sipas tij, realiteti në terren nuk i pasqyron këto premtime.

“Për vite me radhë, sa herë që janë ngritur këto çështje, është tentuar të relativizohen me arsyetimin se bëhet fjalë për tema të së kaluarës. Por kur qytetarët vazhdojnë të përballen me infrastrukturë të papërfunduar, me komunikacion të bllokuar dhe me mungesë investimesh serioze, atëherë nuk kemi të bëjmë me të kaluarën, por me një problem aktual dhe të prekshëm”, theksoi Luçi.

Në fund të paraqitjes së tij, këshilltari i Aleancës për Shqiptarët kërkoi nga Kryetari i Qytetit të Shkupit të bëjë publike listën e projekteve kapitale që janë realizuar ose që kanë hyrë në fazë konkrete realizimi gjatë këtij viti në komunat me shumicë shqiptare, vlerën financiare të tyre dhe afatet e sakta të përfundimit.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se zhvillimi i barabartë i qytetit nuk duhet të mbetet deklaratë politike, por të shndërrohet në politikë konkrete dhe të matshme për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo vendbanimi. Për këtë arsye, do të vazhdojë të kërkojë transparencë, llogaridhënie dhe investime të drejta për të gjitha komunat e Qytetit të Shkupit.