Ajradini nga Kërçova thumbon Bekim Qokun: Patriot i vonuar!

Jetmir Ajradini nga Kërçova i cili në zgjedhjet parlamentare ishte në garë për deputet nga radhët e AKI-së, ka drejtuar kritika në drejtim të deputetit Bekim Qoku.

Ja postimi i tij i plotë:

Patrioti I vonuar…!
Bekim Qoku!,çudi e madhe të shohësh se si sot merr rolin e gjykatësit të historisë dhe të njerëzve që kanë qenë pjesë e proceseve të rëndësishme kombëtare. Ke ngelur ti të japësh leksione për veprimtarinë ilegale, për sakrificën dhe për patriotizmin e të tjerëve?
Madje, paradoksi bëhet edhe më i madh kur një deputet i zgjedhur në Zonën 6 e kalon pjesën më të madhe të kohës duke vepruar politikisht në Zonën 5, konkretisht jeton në Ohër, ndërsa mundohet të ndajë certifikata patriotizmi për të tjerët. A nuk do të ishte më e udhës që fillimisht të jepje llogari para qytetarëve që të kanë votuar, e pastaj të merresh me gjykimin e figurave historike?
Pyetjet retorike nuk janë prova. Dyshimet nuk janë fakte. Aludimet nuk janë histori. Nëse ke dokumente, nxirri para publikut. Nëse nuk ke, atëherë mos u fshi pas pyetjeve që synojnë të krijojnë mjegull aty ku mungojnë argumentet.
Politika serioze nuk ndërtohet duke hedhur hije dyshimi mbi njerëz e ngjarje, por duke ofruar vizion, ide dhe zgjidhje për problemet e qytetarëve. Shqiptarët kanë nevojë për përfaqësim dhe rezultate, jo për ligjërata të pafundme mbi hamendësime që nuk çojnë askund.
Prandaj, para se të pyesësh se pse dikush nuk u burgos në një kohë të caktuar, ndoshta duhet të pyesësh veten se çfarë po bën sot për ata që të kanë besuar mandatin. Sepse historia nuk shkruhet me insinuata, por me fakte ndërsa politika nuk matet me fjalë të mëdha, por me punë konkrete.