Haradinaj kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri: Albin, gjej një strategji të re
Shkarkimi i katër kryetarëve të komunave në veriun e Kosovës po shihet si opsion nga Qeveria e Kosovës, për krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këtë pjesë të vendit. Por, një gjë e tillë po kundërshtohet nga dy kryetarë të komunave atje, si dhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, para disa ditësh ka thënë se mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri është peticioni për shkarkimin e kryetarëve aktualë.
Kundër kësaj ideje janë deklaruar kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut. E, sot këtë ide të Kurtit e ka kundërshtuar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili i ka kërkuar Kurtit ta ndërprejë procedurën e rrëzimit të kryetarëve në komunat veriore me peticion.
“Vazhdo me një strategji të re, me dorëheqjen e kryetarëve. Ashtu do të binden edhe aleatët se je për zgjidhje, e jo për kriza të reja në veri të vendit”, ka shkruar Haradinaj në platformën X (ish Twitter), transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Kurti ka thënë se vetëm kur 20 për qind e trupit elektoral shprehin vullnetin për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktualë jepen dëshmi se nuk mund të ketë bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo kandidim.
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë për çfarëdo vendimi që e merr Qeveria e Kosovës, për ta shtensionuar situatën në veri të vendit.
Mirëpo, iniciativën për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore, Zeqiri e ka cilësuar si problematike, sepse sipas tij, këto iniciativa mund të shkaktojnë probleme në të ardhmen në të gjitha komunat./TELEGRAFI/

