Gëzim Kadriu: Mickovski ia ndaloi VLEN-it të krenohet me fitoren. Rezultati u arrit me votat e VMRO-DPMNE-së

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Gëzim Kadriu, ka reaguar përmes një postimi ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Hristijan Mickovski, duke theksuar se ky i fundit tashmë publikisht ua ka ndaluar përfaqësuesve të koalicionit VLEN të krenohet me rezultatin e zgjedhjeve, pasi – sipas tij – fitorja është arritur falë votave të VMRO-DPMNE-së, raporton Top24.

“Sot, kryeministri Mickovski ia bëri të qartë VLEN-it: mos u krenoni me rezultatin e zgjedhjeve lokale, sepse ne jua dhuruam fitoren. Dhe e vërteta është se ai ka të drejtë”, ka shkruar Kadriu.

Ai ka shtuar se kjo situatë ishte e njohur edhe para fillimit të fushatës zgjedhore, duke kujtuar se edhe Aleanca për Shqiptarët kishte marrë një ofertë të ngjashme nga kryeministri kur ishte pjesë e qeverisë. “Oferta ishte e qartë: unë do t’ju ndihmoj të fitoni komunat kundër BDI-së, pastaj do ta ndajmë pushtetin lokal 50 me 50 në komunat me shumicë shqiptare”, ka sqaruar Kadriu.

Sipas tij, “beteja politike kundër BDI-së ishte vetëm një kamuflim”, ndërsa qëllimi i vërtetë i Mickovskit ishte të kontrollojë pushtetin lokal që tradicionalisht ndodhet nën ndikimin e shqiptarëve.

“Mickovski, pasi menaxhoi me sukses pushtetin qendror, ka parë mosfunksionimin e VLEN-it dhe ka shfaqur ambicie për të marrë nën kontroll edhe pushtetin lokal në komunat shqiptare,” ka theksuar Kadriu.

Në fund, ai është shprehur se më 2 nëntor, shqiptarët në qendrat kryesore urbane – Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër dhe Strugë – nuk do të lejojnë që Mickovski të vendosë për fatin e tyre.

“Aleanca për Shqiptarët është krenare që e demaskoi këtë politikë monoetnike dhe refuzoi ofertën e kryeministrit, për të mbrojtur dinjitetin dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve,” ka përfunduar Kadriu.