Djali i Hashim Thaçit, Endriti: “Jam me fat që jam djali i një çlirimtari, por dhimbja më e madhe është kur e lëmë në Hagë”

Djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ka ndarë momente emocionale nga vizitat që familja i bën çdo muaj në Hagë, ku ish-kreu i shtetit po mbahet në paraburgim.

Në një intervistë për Grida Dumën, Endriti tha se familja ka të lejuara deri në tre vizita mujore dhe se gjatë takimeve bisedojnë për tema të ndryshme, për aktivitetet ditore të Thaçit dhe për librat që ai lexon.

“Diskutojmë për tema të ndryshme, për aktivitetet e tij ditore, për librat që lexon. Momenti më i vështirë është kur mbaron takimi dhe ne duhet ta lëmë brenda. Është një dhimbje tepër e madhe,” u shpreh Endriti.

Ai foli edhe për përgjegjësinë që ka ndjerë pas shkuarjes së babait në Hagë, duke theksuar se është përballur me pjekuri të hershme.

“Nuk e kam menduar që në moshë të re duhet të jem kryefamiljar. Kam qenë 21 vjeç kur babai ka shkuar në Hagë, dhe përgjegjësia ra mbi mua. Sa herë që shkoi atje, ai më thotë të kujdesem për Mamin dhe gjyshen.”

Megjithatë, për Endritin, krenaria për figurën e të atit mbetet mbi çdo vështirësi.

“Jam me fat dhe shumë i lumtur që jam djali i tij — djali i një çlirimtari që fitoi luftën ndaj Serbisë, i një arkitekti që e ka bërë pavarësinë e Kosovës me shokët e tij. Është përgjegjësi e madhe, por krenaria dhe lumturia janë në qiell.”

📷 Burimi: Intervistë e Endrit Thaçit me Grida Dumën / KlanKosova.tv