Arrestohen dy persona në Fushë Kosovë për ryshfet gjatë votimit

Dy persona janë arrestuar në Fushë Kosovë nën dyshimin për dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin, njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit zyrtar, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për veprën penale “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, e parashikuar në nenin 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë hetimeve, është sekuestruar një telefon celular, i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e institucionit.