Ka ndërruar jetë aktori i njohur Enver Petrovci
Aktori dhe regjisori i njohur kosovar, Enver Petrovci, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.
Lajmin e hidhur e ka bërë publik Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK), përmes një njoftimi zyrtar:
“Me pikëllim të thellë njoftojmë për ndarjen nga jeta të aktorit dhe profesorit të shquar, Enver Petrovci. Teatri Kombëtar i Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, kolegëve, miqve dhe gjithë publikut që e ka çmuar dhe e ka dashur veprën e tij artistike dhe pedagogjike. Informacionet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim”.

📌 Kush ishte Enver Petrovci?
I lindur më 28 shkurt 1954 në Prishtinë, Petrovci ishte një nga figurat më të shquara të artit skenik shqiptar. Ai studioi fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në Degën e Aktrimit, dhe më pas i përfundoi studimet në Fakultetin e Arteve Dramatike të Universitetit të Beogradit. Karriera e tij përfshinte role të shumta në teatër, film dhe televizion, si dhe punën e tij si regjisor dhe pedagog, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme në brezat e rinj të aktorëve shqiptarë.
🎭 Petrovci konsiderohej si një nga emrat më të rëndësishëm të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, duke kontribuar jo vetëm në skenën vendore, por edhe më gjerë.

