Uniformat e reja të policisë – vetëm në cirilik, pa shqip

Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur shpallje publike për furnizimin e uniformave të reja policore, të cilat do të zëvendësojnë të deritanishmet. Nga MPB thonë se uniformat do të jenë moderne, cilësore dhe funksionale, sipas modelit të forcave policore evropiane.

👉 Por një detaj ka nxitur reagime: në shpallje thuhet se uniformat duhet të mbajnë vetëm mbishkrimin “Полиција” në cirilik, pa përkthim në gjuhën shqipe – ndonëse kjo është e garantuar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

🔹 Neni 8, paragrafi 3 i këtij ligji përcakton qartë se uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe shëndetësisë, në Shkup dhe komunat ku të paktën 20% e qytetarëve flasin gjuhë tjetër zyrtare, duhet të kenë mbishkrime edhe në maqedonisht (cirilicë), edhe në shqip.

📅 Në vitin 2022, ish-ministri i Brendshëm Oliver Spasovski kishte njoftuar se uniformat dygjuhëshe do të hynin në përdorim më së voni deri në mars 2023. Ai kishte thënë:

“Këto përgatitje janë duke u bërë tashmë dhe deri në afatin ligjor uniformat do të zbatohen në përputhje me ligjin”.

🔎 Megjithatë, tre vite pas paralajmërimit, shpallja e fundit e MPB-së shënon regres: nuk është paraparë përdorimi i shqipes në uniformat e reja, pavarësisht detyrimit ligjor.

📍 Në Shkup dhe komunat ku jetojnë së paku 20% shqiptarë (p.sh. Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Çair, Dibër etj.), uniformat duhet të kishin mbishkrime edhe në shqip, për të gjitha repartet – policia e rendit, trafikut, kufirit dhe intervenuese.