Kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të “Pyjeve Kombëtare” në Dibër

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj një 61-vjeçari nga Dibra, i identifikuar me inicialet L.R., për shkak të dyshimeve se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 të Kodit Penal.

👮‍♂️ Sipas Policisë, gjatë vitit 2024, i dyshuari në cilësinë e drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Pyjeve Shtetërore “Pyjet Kombëtare”, NjR Shkup, filiali “Stogovë” – Dibër, ka shpallur një thirrje publike për qiradhënie të një parcele për ruajtjen e druve për ngrohje në Dibër.

📑 Gjatë këtij procesi, ai ka pranuar një ofertë fiktive, e cila nuk i plotësonte kushtet minimale të parashikuara në thirrje. Përmes këtij veprimi, dyshohet se ka dëmtuar buxhetin me mbi 615 mijë denarë (saktësisht 615.495 denarë).

Rasti është dokumentuar dhe i është dorëzuar Prokurorisë Publike për procedura të mëtejshme ligjore.