Zvicra: Nuk e arrestojmë Putinin nëse vjen për bisedime paqeje
Ministri zviceran i Punëve të Jashtme, Ignazio Cassis, njoftoi të martën se Zvicra do t’i jepte ‘imunitet’ Presidentit rus, Vladimir Putin, nëse ai viziton vendin për bisedime paqeje me Ukrainën.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, sugjeroi të martën se një takim i tillë mund të zhvillohet në Gjenevë, ndërsa Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, u shpreh se qyteti zviceran ‘mund të jetë vendi i duhur’.
Putin, i cili është nën urdhër-arrest të Gjykatës Ndërkombëtare që nga viti 2023 për krime lufte në Ukrainë, nuk do të arrestohet nëse merr pjesë në një ‘konferencë paqeje’ në Zvicër, theksoi Cassis, duke shtuar se vendi është ‘gati për një takim të tillë’.
‘Ne gjithmonë kemi shprehur gatishmërinë tonë, por natyrisht gjithçka varet nga vullneti i fuqive të mëdha’, shtoi ai.

