Ziadin Sela nga Dollogozhda: “Turp ju qoftë” – kritika të forta për mungesën e mbështetjes nga VLEN në Kërçovë
Në tubimin e mbajtur sonte nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Dollogozhdë, lideri i partisë, Ziadin Sela, ka kritikuar ashpër mungesën e mbështetjes nga kandidatët e koalicionit VLEN, përfshirë Bilall Kasamin dhe Mendi Qyrën, ndaj kandidatit shqiptar në Kërçovë, Fatmir Deharit, i cili në raundin e dytë përballet me kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Jovanovski, raporton TS.
Sela theksoi se, për dallim nga kjo mungesë solidariteti, shtabi i AKI-së është bashkuar me kandidatin e VLEN-it në Bërvenicë, i cili gjithashtu garon kundër një kandidati të VMRO-së.
“O ju, kundërshtarë politikë, ju që dilni në konferenca për shtyp dhe thoni ‘Kini kujdes’, sepse etnocentrizmi dhe nacionalizmi duhet të jenë vetëm të juajt – a dini të bëni dallimin, vëllezër e motra? Sot, e gjithë struktura e Aleancës Kombëtare për Integrim është bashkuar në shtabin e VLEN-it në Bërvenicë. Kështu sillet ai që ka gjak shqiptari – bravo ju qoftë djema,” deklaroi Sela.
Ai vazhdoi duke kritikuar heshtjen e drejtuesve të VLEN-it për rastin e Kërçovës:
“Nga ana tjetër, për Kërçovën – nga Bilall Kasami e deri te të gjithë kandidatët e VLEN-it – nuk u dëgjua asnjë zë përkrahjeje. Nuk mund t’ju them ‘bravo’, por po ju them: turp ju qoftë,” theksoi Sela.
Në fund të fjalimit, Sela bëri apel për unitet dhe angazhim të sinqertë politik, duke kërkuar mobilizim të plotë për një fitore të fuqishme të kandidatit të AKI-së në Strugë, Dr. Arsim Dalipi.


