Mickoski: Për situatën në Gostivar duhet të ketë përgjegjësi morale dhe ligjore

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se për situatën e krijuar në Gostivar, pas shpalljes së epidemisë, të gjithë përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi morale, duke filluar nga kryetari i komunës.

“Përgjegjësi morale duhet të ketë nga i pari deri te i fundit. Përveç kësaj, pres që Prokuroria të vlerësojë edhe përgjegjësinë ligjore të rastit”, tha Mickoski.

Ai njoftoi se Instituti i Shëndetit Publik i ka dorëzuar të gjitha informacionet përkatëse në Prokurori, ndërsa tani pritet që organi i akuzës të bëjë kualifikimin juridik të rastit.

Kryeministri tha se Qeveria ka siguruar furnizim të përditshëm me ujë të ambalazhuar për qytetarët e Gostivarit. Sipas tij, fillimisht janë shpërndarë 50 mijë litra ujë, ndërsa gjatë ditës pritet të mbërrijnë edhe rreth 60 mijë litra të tjerë.

Duke iu referuar rekomandimeve të Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) dhe Institutit të Shëndetit Publik, Mickoski theksoi se uji në Gostivar aktualisht nuk duhet të përdoret as për nevoja teknike apo higjienike, derisa të përfundojnë pastrimi dhe klorimi i rrjetit të ujësjellësit.

Ai shtoi se nga sot Ndërmarrja Publike Ujësjellësi duhet të nisë procesin e dezinfektimit të sistemit, ndërsa paralajmëroi edhe analizë të plotë të projektit të ndërtimit dhe rikonstruksionit të ujësjellësit, përfshirë mbikëqyrjen profesionale të punimeve.

Sipas Mickoskit, institucionet qendrore kanë reaguar menjëherë, ndërsa situata, sipas tij, është përkeqësuar si pasojë e mosveprimit në nivel lokal.