Operacioni “Fury”: Arrestohen në Durrës tre shtetas, dy të kërkuar nga Maqedonia e Veriut për vepra të rënda penale
Policia e Shtetit ka njoftuar finalizimin e operacionit ndërkombëtar të koduar “Fury”, në kuadër të të cilit në Durrës janë arrestuar dy shtetas të kërkuar nga autoritetet e Maqedonia e Veriut për vepra të rënda penale.
Sipas policisë, të arrestuarit janë M.Xh. (26), i lindur në Shkup, dhe S.N. (34), i lindur në Norvegji. Për ta, INTERPOLkishte lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare për dyshime lidhur me vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.
Gjatë kontrollit, autoritetet shqiptare kanë gjetur dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për t’iu shmangur drejtësisë.
Në kuadër të të njëjtit operacion është arrestuar edhe Xh.R. (26), shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dyshuar se u ka siguruar dy të kërkuarve dokumente të falsifikuara. Ai akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Policia njoftoi gjithashtu se gjatë kontrollit në banesën e tij është sekuestruar edhe një sasi e vogël e lëndës narkotike të dyshuar Cannabis Sativa.
Operacioni “Fury” u realizua nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, si dhe me partnerët e Diplomatic Security Service (DSS) pranë ambasadave të Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Shkup.

