Zeqirija Ibrahimi jep dorëheqje nga AlternAtivA, zhvillimet në VLEN ndryshojnë dinamikën e partisë

“Sonte, në mbledhjen e Kuvendit Qendror të Alternativës, e ofrova dorëheqjen time të pakthyeshme nga pozita e kryetarit të partisë”, deklaroi Ibrahimi. Ai shtoi se, megjithëse kishte planifikuar të mos rikandidonte në kongresin e ardhshëm të partisë – i cili pritej të mbahej në mars ose prill të vitit të ardhshëm – dinamika politike brenda VLEN-it e ka përshpejtuar këtë proces.

Në vend të tij, drejtimin e partisë pritet ta marrë Bekim Sali.

Ndërkohë, koalicioni VLEN, pas rezultateve të mira në zgjedhjet lokale, po përballet me një vendim kyç: cili do të jetë lideri i ri i koalicionit? Në opinion publik po qarkullojnë dy emra kryesorë – Bilall Kasami nga Lëvizja Besa dhe Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike. Megjithëse koalicioni përbëhet nga disa subjekte politike, pikërisht këto dy figura shihen si favoritët kryesorë.

Si Kasami, ashtu edhe Mexhiti kanë deklaruar se nuk e shohin si problem nëse tjetri zgjidhet lider, duke lënë të hapur mundësinë për një vendim konsensual brenda koalicionit.