Mexhiti: Në parim e mbështes protestën kundër Speciales, do jap pëlqim për mbajtjen e saj
Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka deklaruar se në parim e mbështet protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup. Ai theksoi se protesta është një e drejtë demokratike dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqëson krenarinë kombëtare të shqiptarëve.
Në një prononcim për VOX Kosova, Mexhiti u shpreh se si Kryetar i Komunës së Çairit – ku do të zhvillohet protesta – do të japë pëlqimin për mbajtjen e saj.
“Protesta është e drejtë demokratike. Ne e konsiderojmë protestën si vlerë demokratike, ndërsa UÇK është krenari kombëtare e jona”, tha Mexhiti.
I pyetur nëse do të marrë pjesë personalisht, ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por nënvizoi se komuna do të lejojë organizimin e saj:
“Do të japim pëlqimin për mbajtjen e protestës. Uroj që gjithçka të kalojë mirë.”
Protesta kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet më 13 dhjetor, nga ora 13:00, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Kjo do të jetë protesta e pestë e organizuar nga OVL-UÇK, pas atyre në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg, ku mijëra shqiptarë protestuan kundër Dhomave të Specializuara.
Që nga 5 nëntori 2020, në paraburgimin e Hagës mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.

