Zelensky: Ushtria ukrainase po kryen kundërofensivë në frontin lindor

Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se trupat ukrainase po zhvillojnë një kundërofensivë kundër forcave ruse në frontin lindor, ku tashmë janë rimarrë disa vendbanime.

“Në të vërtetë, forcat tona po e lënë pushtuesin pa mundësinë që të kryejë një operacion ofensive të shkallës së plotë, të cilin ata e kanë planifikuar prej kohësh dhe llogaritnin në të”, tha Zelensky në një video-adresim, duke cituar “Reuters”.

Sipas tij, Ukraina ka rimarrë 160 kilometra katrorë territor, ndërsa 170 kilometra katrorë dhe nëntë vendbanime të tjera janë pastruar nga pushtuesit.

Luftimet më të ashpra po zhvillohen në zonën e Dobropillia-s, ku Rusia shënoi avancime në gusht, si dhe rreth qytetit Pokrovsk.

Ndërkohë, një sulm rus me bombë të enjten vrau pesë civilë në Kostiantynivka, rreth 40 kilometra nga Dobropillia. Forcat ruse i janë afruar deri në vetëm 8 kilometra nga qyteti, i cili për një kohë të gjatë ka shërbyer si qendër logjistike për mbrojtjen e vijës së frontit.