VLEN zyrtarizon mbështetjen për kandidatin e ZNAM-it në Qendër, Miroslav Labudoviç
Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, kandidati për kryetar të komunës së Qendër nga Lëvizja ZNAM, Miroslav Labudoviç, ka siguruar mbështetjen e partnerit koalicionar në pushtet – VLEN.
Mbështetja u zyrtarizua gjatë një takimi me banorët e lagjeve Kalaja dhe Duqanxhik, ku përveç Labudoviçit morën pjesë edhe kryetari i zgjedhur i komunës së Çairit dhe një nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, si dhe sekretari i përgjithshëm i ZNAM, Goran Minçev.
Gjatë fjalës së tij, Mexhiti u bëri thirrje banorëve, shumica shqiptarë, që më 2 nëntor – ditën e raundit të dytë – t’i japin mbështetje kandidatit të ZNAM-it, i cili gëzon gjithashtu përkrahjen e VMRO-DPMNE-së. Ai theksoi se vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një zgjidhje efikase e problemeve komunale që, sipas tij, kanë mbetur pa adresuar gjatë mandatit të Goran Gerasimovskit.
Programi i Miroslav Labudoviç parashikon përmirësimin e kushteve bazë të jetesës dhe ngritjen e cilësisë së jetës për banorët e komunës.
Kjo është hera e dytë që partnerët qeveritarë ZNAM dhe VLEN zyrtarizojnë mbështetje të ndërsjellë në nivel lokal – pas Kumanovës, ku dje u shpall përkrahja për kandidatin Maxim Dimitrievski. Sipas përfaqësuesve të të dyja partive, bashkëpunimi i suksesshëm në nivel qendror po reflektohet tashmë edhe në pushtetin lokal, në dobi të qytetarëve.


