Studentët e degës së mjekësisë në Shqipëri kanë protestuar sërish kundër marrëveshjes së punësimit të tyre të detyrueshëm, si kusht i marrjes së diplomës, raporton Anadolu.
Dhjetëra studentë të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë kanë protestuar fillimisht pranë ambienteve të fakultetit të tyre, ndërkohë më pas kanë protestuar edhe para selisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke kundërshtuar ligjin që parashikon nënshkrimin e marrëveshjes mbi punësimin e tyre.
Studentët protestues kërkojnë anulimin e ligjit që u miratua disa muaj më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërkohë gjatë protestës kanë hedhur tymuese dhe vezë në drejtim të godinës së ministrisë.
Sipas ligjit, studentët që do të pranohen në vit të parë në degën e mjekësisë në institucionet publike të arsimit të lartë, do të nënshkruajnë një marrëveshje për t’u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.
Sipas ligjit, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundësi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri ose në të kundërtën do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura.