Tensione para Parlamentit: përplasje mes protestuesve dhe policisë, disa të shoqëruar në komisariat
Paraditen e sotme janë shënuar tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë përpara Parlamentit, në kohën kur deputetët po hynin në seancën plenare.
Sipas raportimeve, disa protestues kanë goditur me vezë automjetet e deputetëve, ndërsa policia ka ndërhyrë duke shoqëruar disa persona në komisariat. Situata u përshkallëzua kur një grup protestuesish çau gardhin metalik dhe tentoi të depërtojë në ambientet e Parlamentit.
Si reagim, policia përdori spray lotsjellës për të penguar hyrjen e tyre. Gjatë përplasjeve mbetën të lënduar tre efektivë policie dhe një protestues.
Autoritetet bëjnë të ditur se tetë persona janë shoqëruar në polici, pasi dyshohet se kanë sulmuar me vezë makinat e deputetëve para ndërtesës së Parlamentit.

