Shqipëria hap klasterin e fundit në negociatat me BE – Rama synon mbylljen deri në vitin 2027

Shqipëria ka hapur edhe klasterin e fundit, të pestin, në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, brenda një periudhe prej vetëm 12 muajsh, njoftoi sot kryeministri Edi Rama.

“Askush nuk mund të na ndalë për të arritur qëllimin kryesor – mbylljen e negociatave në vitin 2027. Sepse, pavarësisht vështirësive, pengesave, dëmeve të pashmangshme apo baltës që shoqëron çdo ngjitje historike, ne po rritemi dhe po e forcojmë Shqipërinë muaj pas muaji,” shkroi Rama në profilin e tij në Facebook.

Me hapjen e këtij klasteri të fundit, Shqipëria tashmë i ka aktivizuar të gjitha fushat tematike të procesit të negociatave me BE-në, çka konsiderohet si një hap i rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Union.