SHBA pezullon Dialogun Strategjik me Kosovën: fajëson veprimet e qeverisë, jo Serbinë
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASh) ka konfirmuar për gazetën Nacionale se pezullimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA është “krejtësisht i bazuar në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës” dhe nuk lidhet me Serbinë apo faktorë të jashtëm.
“Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe përpjekje për të shmangur çështjet thelbësore. Ne ia kemi shprehur shqetësimet tona drejtpërdrejt Kryeministrit Kurti dhe e kemi bërë qëndrimin tonë plotësisht të qartë,” tha zëdhënësi i DASh-it.
Sipas tij, SHBA mbetet një mik i ngushtë i popullit të Kosovës, por pret që qeveria të veprojë në mënyrë konstruktive për stabilitet rajonal dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Çfarë tha Kurti në SHBA?
Gjatë vizitës së tij në SHBA, kryeministri në detyrë Albin Kurti u shpreh se vendimi i Washington-it lidhet me interesin e tyre për të afruar Serbinë nga sfera e ndikimit rus. Ai tha se SHBA shpesh e sheh Kosovën si pengesë në këtë proces.
“Disa politikanë dhe diplomatë në SHBA mendojnë se ne nuk po i ndihmojmë mjaftueshëm që ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse. Por, më falni për sinqeritetin – kjo nuk duhet të jetë problemi im. Unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës,” deklaroi Kurti.
Këto deklarata, të cilat në media amerikane dhe vendore janë vlerësuar si skandaloze, kanë përforcuar bindjen e Washington-it se marrëdhëniet me Prishtinën janë në pikën më të tensionuar të dekadës së fundit.


