Ramush Haradinaj: Kam bashkëpunuar me CIA para dhe gjatë luftës

Pas dëshmisë së James Rubin në Hagë, ku u përmend se Ramush Haradinaj ka qenë bashkëpunëtor i CIA-s, kreu i AAK-së ka dhënë për herë të parë detaje publike mbi këtë bashkëpunim.
Në një intervistë për emisionin Rubikon, Haradinaj pranoi se kishte komunikime të drejtpërdrejta me CIA-n dhe institucionet e tjera amerikane të sigurisë, madje edhe para fillimit të luftës në Kosovë.
“Rubin ka pasur të drejtë, ai nuk tha diçka që nuk qëndron. Edhe para vitit 1998 kemi pasur komunikim me institucionet amerikane të sigurisë. Ata donin të kuptonin kush jemi, cilat janë qëllimet tona dhe çfarë sugjerimesh duhej t’u jepnin vendimmarrësve në SHBA. Ishte detyra ime që të tregoja të vërtetën. Në atë kohë ende lëvizja në Zvicër”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se bashkëpunimi dhe koordinimi me CIA-n nuk u ndërpre as gjatë luftës.
“Ka qenë me rëndësi të sqarohej se ne nuk ishim një krah majtist ushtarak, nuk bënim luftë fetare apo ndëretnike. Qëllimi ynë ishte çlirimi i vendit, të drejtat, demokracia, liria. Sado pak që kam mundur të ndihmoj, më vjen mirë”, theksoi Haradinaj.

