Policia serbe arreston dy shqiptar në Merdare
Policia kufitare e Serbisë ka arrestuar dy shtetas shqiptarë në pikën kufitare të Merdarës, pasi gjatë kontrollit u janë gjetur rreth 30 kilogramë kokainë. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit janë S.L. (i lindur në vitin 2002) dhe B.U. (i lindur në vitin 2000), të cilët udhëtonin me një furgon të markës “Mercedes” me targa të Shqipërisë. Droga është zbuluar gjatë një kontrolli të detajuar në mjetin e tyre.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre do të ngrihet kallëzim penal. Pas skadimit të masës së ndalimit, ata do të dërgohen në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuplje.
Autoritetet serbe bëjnë të ditur se dy personat dyshohen për veprat penale të prodhimit të paautorizuar dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

