Londër: I burgosuri i liruar gabimisht dorëzohet pas tri ditësh, ndërsa një tjetër ende në arrati
Një nga dy të burgosurit që u liruan gabimisht para kohe nga një burg në Londër është dorëzuar të enjten, pasi u përshëndet me gazetarët dhe piu një cigare në shkallët e burgut të epokës viktoriane.
Billy Smith, 35 vjeç, u dorëzua në HMP Wandsworth, tre ditë pasi ishte liruar si pasojë e një gabimi administrativ, që ka rikthyer vëmendjen tek problemet serioze të sistemit britanik të burgjeve — i cili është i mbipopulluar, i mbingarkuar dhe po shihet si barrë politike për qeverinë laburiste, raporton AP.
Shefat e burgjeve u thirrën në një takim të enjten për të diskutuar shkaqet e gabimeve dhe përpjekjet për modernizimin e sistemit, i cili ende bazohet në dokumente letre, ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Alex Davies-Jones.
Smith ishte liruar aksidentalisht të hënën, të njëjtën ditë kur ishte dënuar me gati katër vjet burg për mashtrime të shumta.
Ndërkohë, policia britanike është ende në kërkim të Brahim Kaddour-Cherif, 24 vjeç, shtetas algjerian, i cili u lirua gabimisht më 29 tetor nga i njëjti burg, Wandsworth. Ai kishte hyrë ligjërisht në Britani në vitin 2019, por kishte tejkaluar afatin e qëndrimit dhe ndodhej në fazat fillestare të procesit të deportimit.
Të dy burrat ishin liruar nga burgu historik Wandsworth, i ndërtuar në mesin e shekullit të 19-të në jugperëndim të Londrës, një institucion që në të kaluarën është përballur me kritika për menaxhim të dobët dhe mungesë sigurie.

