Kosova drejt zgjedhjeve të reja më 28 dhjetor: Kriza politike rikthen qytetarët në votime

Të dielën, më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës do të dalin sërish në votime, pasi Presidentja Vjosa Osmani shpalli shpërbërjen e Kuvendit. Arsyeja lidhet me dështimin për të formuar qeverinë brenda afateve kushtetuese, ndonëse zgjedhjet e fundit u zhvilluan vetëm më 9 shkurt 2025. Kjo situatë e ka shtyrë vendin drejt një tjetër cikli zgjedhor, të paparashikueshëm dhe politikisht të lodhshëm.

Procesi i ri zgjedhor po zhvillohet në mes debatesh të nxehta politike dhe tensioneve institucionale, ku palët akuzojnë njëra-tjetrën për përgjegjësinë që çoi në dështimin e formimit të qeverisë.

Nga njëra anë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila mbajti mbi 50 seanca të Kuvendit në mënyrë të kontestuar, pretendon se opozita refuzoi të votojë qeverinë.

Ndërsa partitë opozitare argumentojnë se Albin Kurti nuk i konsideroi asnjëherë si partnerë të mundshëm dhe përdori taktika që penguan formimin e institucioneve me qëllim që të paraqitej si i viktimizuar.

Ndërkohë, partitë politike tashmë kanë intensifikuar fushatat me synimin të ripozicionohen në skenën politike dhe të bindin elektoratin për një mandat të ri. Analistët vlerësojnë se këto zgjedhje janë veçanërisht të rëndësishme, pasi qytetarët po votojnë për herë të dytë brenda një periudhe shumë të shkurtër, gjë që pritet të sjellë një pasqyrë më të qartë për drejtimin që do të marrë vendi.

Institucionet janë duke u përgatitur për procesin zgjedhor, ndërsa qytetarët shpresojnë që votimi i 28 dhjetorit të sjellë një epilog të qëndrueshëm dhe t’i japë fund krizës së krijuar pas zgjedhjeve të fundit.