Kosova dhe Sërbia arritën marrëveshjen rreth targave
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me targat në bisedimet ndërmjet kryenegociatorëve të të dy vendeve.
“Serbia do të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, mbi propozimin e paraqitur në muajin shtator nga ndërmjetësuesi i BE-së dhe të mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, thuhet në një deklaratë të zotit Borrell, në të cilën nënvizohet se “BE-ja do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit. Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”.
Marrëveshja e së mërkurës pasoi një takim prej disa orësh ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për bisedimet ndërmjet të dy vendeve, Miroslav Lajçak.


