Grubi: Ne nënshkruam një marrëveshje me Shqipërinë për realizimin e projekteve të përbashkëta
Nënkryetari i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në daljen e djeshme në studio në emisionin “Opinion” të KlanTV ka shpjeguar marrëveshjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë së Veriut për ndryshimin e pikës kufitare “Qafasan”.
“Për ndryshimin e pikës kufitare “Qafasan”, sot nënshkruam një memorandum, do të formojmë ekipet tona, për ta zhvendosur pikën kufitare deri te ura e Bushtricës”, tha zëvendëskryeministri Grubi.
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Belinda Baluku, sqaroi se me këtë investim u shmangën të gjitha problemet dhe vështirësitë e “Qafasan”.
“Kështu e heqim gjithë pjesën e Qafasanit me gjithë problemet që kemi, bëmë një afrim luginash. Parimet janë që nga 1100 metra në Qafasan të zbresim në një luginë 400 metra, sepse në të kundërt pala maqedonase duhet të dalë me tunel”, tha Baluku./ opinion.al




