Gjykata Kushtetuese nuk arrin shumicën për heqjen e detyrimit të etiketimeve në gjuhën shqipe

Obligimi që prodhuesit dhe tregtarët privatë t’i kenë deklaratat dhe etiketat e produkteve edhe në gjuhën shqipe, krahas asaj maqedonase, mbetet ende në fuqi. Gjykata Kushtetuese nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për të pranuar ose rrëzuar iniciativën e avokatit Valentin Pepelugoski, e cila ka mbi dy vite që pret vendim.

Në seancën e djeshme, votimi doli i barabartë: katër gjyqtarë ishin kundër heqjes së dispozitave nga gjashtë nenet e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, që e detyrojnë përdorimin e shqipes në deklaratat e produkteve – dispozita që janë miratuar në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Katër të tjerë mbështetën pretendimet e iniciuesit, i cili konsideron se këto nene bien ndesh me Amendamentin 5 të Kushtetutës dhe se gjuha shqipe duhet përdorur vetëm në komunikimin e qytetarëve me institucionet shtetërore, jo mes subjekteve private.

Sipas kësaj pale, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve rregullon marrëdhëniet gjuhësore vetëm midis shtetit dhe institucioneve publike, dhe nuk duhet të shtrihet te sektori privat, duke u konsideruar si kufizim i lirive ekonomike.

Ndryshimet ligjore u miratuan me qëllim që konsumatorët shqiptarë dhe të komuniteteve tjera, ku përbëjnë mbi 20% të popullsisë, të kenë informacione të qarta në gjuhën e tyre amtare për produktet që blejnë. Prodhuesit dhe importuesit janë të obliguar të ofrojnë deklarata në shqip në të gjitha kategoritë e produkteve – nga ushqimet dhe barnat e deri te teknika e bardhë, veshmbathjet dhe pajisjet e tjera – si dhe t’i përkthejnë udhëzimet, certifikatat dhe fletë-garancitë. Mosrespektimi i këtij detyrimi sanksionohet me gjoba.

Megjithëse dispozitat nuk respektohen gjithmonë në praktikë, shumë tregtarë maqedonas kanë shprehur pakënaqësi, duke i konsideruar përkthimet si barrë financiare shtesë. Përveç reagimeve nga odat ekonomike, në shkurt të këtij viti pati edhe një tentativë të pasuksesshme nga partia E Majta për ndryshimin e Ligjit, e cila nuk mori mbështetjen e shumicës parlamentare./ Alsat.mk