Pollozhani: Kërkesa e studentëve është legjitime. Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë, por mungon vullneti politik

Shkruan: Besjan Pollozhani – Magjistër i shkencave juridike

Protesta e studentëve shqiptarë lidhur me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe është plotësisht legjitime dhe e mbështetur në dispozitat ligjore në fuqi. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2019, mund të ketë hapësira për përmirësim në segmente të caktuara, por sa i përket kësaj kërkese konkrete, ai është i qartë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kjo është një iniciativë autentike studentore dhe si e tillë, nuk duhet të politizohet. Po të kishte ekzistuar vullnet i mirëfilltë politik, kjo çështje do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Prandaj, fokusi duhet të mbetet tek zbatimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj.

Studentët meritojnë mbështetje të plotë në këtë përpjekje të drejtë. Institucionet duhet të veprojnë pa vonesë dhe të ofrojnë një zgjidhje të bazuar në ligj, duke garantuar barazi dhe dinjitet për të gjithë.

Megjithatë, edhe nëse kjo kërkesë realizohet, sfidat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk përfundojnë këtu. Çështja shqiptare vazhdon të sfidohet çdo ditë në forma të ndryshme, pavarësisht faktit se shqiptarët janë shtetformues dhe kontribues të pandashëm në këtë shtet.

Mbështetje për studentët. Mbështetje për të drejtën. Mbështetje për barazinë.